Mes aromave të kuzhinës nordike, disiplinës së një prej restoranteve më të famshme në botë dhe dëshirës për të ruajtur gjallë identitetin shqiptar në diasporë, Rexhep Rexhepi ka ndërtuar një rrugëtim të veçantë profesional dhe personal. Pas më shumë se shtatë vitesh eksperiencë në “Noma” dhe projekte të tjera prestigjioze gastronomike në Danimarkë, ai sot po investon energjinë dhe vizionin e tij në “Besa Festival”, një iniciativë që synon të afrojë kulturën shqiptare me publikun ndërkombëtar përmes artit, muzikës, gastronomisë dhe traditave. Në këtë intervistë, Rexhepi flet për edicionin e dytë të “Besa Festival” në Kopenhagë, misionin e tij për të promovuar vlerat shqiptare në diasporë, mësimet e marra nga puna pranë emrave më të rëndësishëm të gastronomisë botërore dhe potencialin që kuzhina shqiptare ka për të zënë vendin që meriton në skenën ndërkombëtare.
Rexhep, ky është viti i dytë i “Besa Festival” në Kopenhagë, çfarë risish sjell këtë herë?
Pas edicionit të parë mësuam shumë, dhe këtë vit fokusi ynë ka qenë te detajet, përmirësimi i përvojës së vizitorëve dhe rritja e pjesëmarrjes së komunitetit danez. Qëllimi ynë është që “Besa Festival” të mos jetë vetëm një festë për shqiptarët, por një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj daneze. Një nga risitë më të mëdha këtë vit është përfshirja e sportit si pjesë e programit. Kemi organizuar një ndeshje futbolli mes klubit shqiptar “Liria” dhe ekipit “FC Copenhagen Old Boys”, ku do të marrin pjesë disa nga emrat e njohur të futbollit danez, ndër ta edhe Bajram Fetai, i cili ka qenë gjithashtu pjesë e organizimit të kësaj iniciative. Në programin artistik kemi kënaqësinë të mirëpresim Pierpaolo Pettan dhe familjen e tij arbëreshe nga Piana degli Albanesi në Itali, një shembull i bukur i ruajtjes së identitetit shqiptar ndër breza. Po ashtu do të kemi Ansamblin “Jehona e Malësisë”, të rinj të talentuar që tregojnë historinë dhe traditat tona përmes valles shqiptare. Festivali do të sjellë edhe artistë të rinj, si Fjolla Jahiu dhe Arianit Ramadani nga Tetova, vëllezërit Rinor dhe Arbnor Selmani, si dhe Jimilian Ismailin, një nga artistët më të njohur në Danimarkë me origjinë shqiptare. Përveç muzikës dhe performancave, do të ketë edhe demonstrime të artizanatit tradicional. Një prej tyre është qeleshepunues Hyseni nga Kruja, pjesë e një tradite gjashtëbrezëshe të punimit të qeleshes, i cili do ta demonstrojë këtë zanat live para vizitorëve. Në thelb, këtë vit kemi tentuar të krijojmë një program që bashkon muzikën, sportin, traditat, artin dhe historinë tonë, duke e bërë “Besa Festival” një përvojë sa më të plotë dhe gjithëpërfshirëse.
Çfarë përfshin agjenda kulturore dhe cilët do të jenë të ftuarit dhe aktivitetet?
Agjenda kulturore e festivalit është ndërtuar për të prezantuar larminë e kulturës shqiptare përmes muzikës, vallëzimit, gastronomisë, sportit dhe artizanatit tradicional. Përveç programit artistik, do të kemi kënaqësinë të mirëpresim përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka, si dhe përfaqësues të Komunës së Kopenhagës. Një kënaqësi e veçantë për mua është pjesëmarrja e kryetarit të Komunës së Tetovës, qytetit ku jam rritur, i cili gjithashtu ka mbështetur pjesëmarrjen e ansamblit “Jehona e Malësisë” në festival. Në thelb, festivali synon të krijojë një hapësirë ku kultura shqiptare prezantohet në mënyrë autentike dhe bashkëkohore, duke afruar komunitetet dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi.