Pas disa vitesh larg kamerave, Meghan Markle mund të jetë gati për një rikthim në aktrim. Dukesha e Sussex thuhet se është në negociata për t’iu bashkuar sezonit të tretë të serialit të Netflix, “The Gentlemen”, një produksion i krijuar nga regjisori britanik Guy Ritchie.
Lajmi është raportuar nga The Hollywood Reporter, sipas të cilit bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm. Roli për Markle thuhet se është ende në proces shkrimi dhe detajet mbi personazhin apo numrin e episodeve ku ajo mund të shfaqet nuk janë bërë publike.
Meghan dhe Guy Ritchie raportohet se janë njohur përmes miqve të përbashkët, ndërsa mundësia e këtij projekti po lidhet edhe me raportimet për një rikthim të mundshëm të Markle dhe Princit Harry në Mbretërinë e Bashkuar.
Gazetarja Bronte Coy ka deklaruar për Today në BBC Radio 4 se projekti mund të jetë një prej faktorëve që po ndikon në planet e çiftit për të kaluar më shumë kohë në Britani. Sipas saj, bëhet fjalë për një rol të rëndësishëm dhe Meghan është shumë entuziaste për mundësinë.
Për Markle, rikthimi në aktrim do të shënonte një rikthim te profesioni që e bëri të njohur në mbarë botën. Ajo fitoi famë përmes personazhit Rachel Zane në “Suits”, serial në të cilin u shfaq për shtatë sezone.